Alsat Online TV
milioneri.png

Kërko

Moti

vodafone.gif
mobitel.jpg
Femra shqiptare në politikën e dhunshme PDF Printoni E-mail
(8 vota)
e shtunë , 30 janar 2010
Image Zyrtarisht, 51 % e popullsisë në Shqipëri janë femra. Pse kjo përqindje nuk reflektohet edhe në pjesëmarrjen e tyre në shoqëri përkundër shumë ligjeve të miratuara. Cilat janë përpjekjet e femrës shqiptare dhe cilat janë pengesat për praninë e saj në politikën e dhunshme shqiptare e cila edhe pas dy dekadave nuk bëhet dot shembull i shoqërisë.

Edhe pas dy dekadave të postdiktaturës, femra shqiptare është prezente në Shqipëri vetëm në shifra. 51 % e popullsisë shqiptare janë femra Por kjo shifer nuk reflektohet në asnjë pore të jetës. Kushtetuta, Konventa dhe detyrime të panumërta të Shqipërisë pluraliste që gjithashtu ngelin në letër. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të individit dhe ndalimin e diskriminimit. Gjithashtu ajo parashikon mbrojtje të veçantë të familjes, fëmijëve, të rinjve, grave shtatzëna dhe nënave të reja. Po ashtu, instrumenta të rëndësishme ndërkombëtare, të ratifikuara nga vendi ynë, si Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas, Konventa për të Drejtat e Fëmijës, Konventa Kundër Torturës dhe Trajtimit ose Dënimit Mizor, Çnjerëzor a Degradues, vendosin detyrime mbi shtetin shqiptar për përmbushjen e disa standardeve, duke iu ofruar individëve, edhe brenda familjes, mbrojtje të përshtatshme nga dhuna.
Shqipëria është anëtare e Kombeve të Bashkuara që në vitin 1955 dhe ka ratifikuar një numër të madh të Konventave për të Drejtat e Njeriut, ku për aspektin për të cilin po flasim më e rëndësishmja është Konventa e firmosur më1978  "Për Eleminimin e Të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Gruas" e ratifikuar nga Parlamenti i Shqipërisë, me Ligjin nr.7767 më 09 Nëntor të vitit 1993. Kjo Konventë është e një rëndësie të veçantë dhe njihet si “KUSHTETUTA E GRUAS”. Shteti Shqiptar sipas detyrimeve që ka, raporton pranë Komitetit të Konventës, por cili është realiteti?

Kuadri ligjor në lidhje me të drejtat politike dhe ato të vendimmarrjes janë shumë të qarta. Sa i përket të drejtave civile, si burrat ashtu edhe gratë gëzojnë de jure të drejta të barabarta civile e politike. Ligjërisht gruaja ka të drejtë të zgjedhë lirisht vendbanimin, të mbajë një emër dhe një mbiemër, të drejtën e shtetësisë dhe të ndryshimit të saj. Edhe sa i përket të drejtave politike është e njejta situatë. Legjislacioni shqiptar iu njeh të drejta të barabarta si burrave ashtu edhe grave, që me mbushjen e moshës madhore 18 vjeç, të zgjedhin dhe të zgjidhen bazuar në Nenin 45 të Kushtetutës. E drejta e votës është e garantuar. Historikisht gruaja e ka fituar të drejtën për të zgjedhur dhe për t'u zgjedhur për herë të parë në vitin 1928. Praktikisht të  drejtën e votës gratë e zbatuan në zgjedhjet e para të pasluftës në vitin 1945.

Në Kodin Zgjedhor Ligji Nr. 8087 datë 19.06.2003, sanksionohet edhe njëherë pas Kushtetutës parimi i mosdiskriminimit për të zgjedhur dhe për t'u zgjedhur, si dhe garantohet e drejta e votës për zgjedhësit. Lëvizja e grave ka punuar për të futur në ligjin elektoral të vitit 2000 e më pas, një kuotë prej 30% përfaqësimi për gjininë më të diskriminuar. Por kjo ngeli vetëm në letër edhe pse partitë politike më të mëdha sanksionuan në statutet e tyre kuotën për pjesëmarrjen e grave në organet drejtuese të partive

Por çfarë ndodh? Fati i femrës shqiptare vazhdoi me hartimin e strategjive të shumta, miratimin e ligjeve pa fund që as sot e kësaj dite nuk jetësohen dot. Disa flasin për traditën patriarkale, disa flasin për historikun tonë e madje edhe për femrat që nuk iI kërkojnë vetë këto të drejta, por e vërteta është krejtësisht e ndryshme si për shoqërinë, politikën dhe parlamentin e Shqipërisë.

Shqiptarët kanë shumë gjëra për t’u mburrur, por jo edhe me Parlamentin i cili për 50 vjet na ofroi të shohim vetëm kukulla dhe për 20 vjetët e fundit kukulla aq shumë të elektrizuara sa nuk përfillnin njëra- tjetrën nëse dikush ka flokë të gjata ose janë me makiazh.

Por jo vetëm kaq. Në këtë tempull shqiptar, dallimi mes kryeministrit dhe deputetëve është jashtëzakonisht i vogël, dhe në këtë fazë tranzicioni që të gjithë vazhdojnë të jenë kërkues të dhunës, seksit dhe drogës.

Për këtë sjellje njerëzit me imunitet janë komod. I pari vazhdon avazin ndërsa i dyti është edhe më komod sepse merr edhe dënimin i cili për të ardhmen e këtij parlamenti do të bëhet rutinë sepse u ndalua për 15 ditë hyrja. Nuk dihet se si u reflektua kjo tek fëmijët që kishin rastin të shohin në trasmetim të drejtpërdrejtë se çfarë po bëjnë ideatorët e ligjeve, por nëna, gruaja dhe motra shqiptare është në pozitën më të keqe. E fyer, e përçmuar dhe e poshtëruar, detyrohet në sqaroje, madje edhe të arsyetoje, veprimet e këtyre njerëzve që në mungesë të argumentit debatin e përfundojnë me fyerje. Edhe me këtë rast harrojnë shifrën e 51 % dhe prezencën e femrës në këtë tempull.

Është folur për pjesëmarrjen e femrave në politikë me një shifër shpresedhënëse prej 30 %, por sërish gjithçka ngeli në shifra. Aktualisht në Parlamentin e Shqipërisë janë 21 të përzgjedhura të popullit, që nuk kapin ende shifrën epërcaktuar. Si u përcaktuan për terrenin politik? Si fituan dhe ku janë nisur të përzgjedhurat e popullit është mjaft sfiduese.
Në vitin 2005 më në fund kemi një shifër shpresdhënëse dhe emërimin në krye të Parlamentit nëj femër. Është Jozefina Topalli, e cila në krye të kësaj politike të dhunshme atakohet edhe nga kolegët e saj partiake, sikurse nuk i mungojnë as sulmet e partisë rivale.

Partia Socialiste kërkon edhe shkarkimin, i cili për vet faktin që nuk u miratua shkatoi sherr. Kjo klasë politike na servir edhe një debat mes dy kryeministarve shqiptar, ndërsa kemi rastin të shohim edhe veprimin e femrave si pjesë e sherrit edhe pse përbalë kanë një femër.

Në fund, dritën e diellit e sheh edhe përpjekja e fundit e qeverisë shqiptare. Në korrik të vitit 2006 përveç mungesës së përfaqësimit të gruas mungonte edhe një klimë inkurajuese për gruan në politikën shqiptare. Kështu hartohet një Stregji Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe dhunën në familje, për periudhën 2007-2010. Nuk u shijua, madje vetëm pak ditë pas miratimit u shpërfill. Nëse të përzgjedhurit shqiptar nuk bien dakord për kompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ata janë dakord se këtu vërtetë mund të fyesh, edhe kur dihet se kemi të bëjmë me fakt të kryer.
Por nuk duhet lënë të qeta edhe lulet përreth, që stolisen me femra që vazhdojnë të  ngelen të shpërfillura. E kur nuk kanë rrespekt për femrat që janë Parlament pse duhet pasur për ato që nuk janë, ose edhe për familje të tëra?!
Ndërsa për shkaqe të shumta të akuzave dhe hetimeve, gishti drejtohet sërish nga një femër. Kjo është kryeprokurorja e Shqipërisë, Ina Rama. Kryeprokurorja mund të jetë e dëshperuar por akuzat vijnë nga ky lloj Parlamenti që fyen femrat, ku edhe këto të fundit bëjnë sherr.

Pavarësisht këtij realiteti, femrat shqiptare vazhdon të jetë në politikë duke pasur parasysh se një ditë do të jetësohen edhe ligjet e këtij vendi. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të individit dhe ndalimin e diskriminimit. Gjithashtu kjo Kushtetutë parashikon mbrojtje të veçantë të familjes, fëmijëve, të rinjve, grave shtatzëna dhe nënave të reja. Për këtë arsye ato janë aty, që ëndërra e tyre dhe 51 % femrave shqiptare të bëhet realitet.

Me betimin ne parlament filloi karrierën e saj në politikë, deputetja socialiste Valentina Leskaj. Duke rastisur në kulmin e një politike të nxehtë, kandidimi i saj në Zonën 52 u bë pjesë e sherrit PS-PD, nuk u mirëprit nga opozita, madje edhe u akuzua. Por ajo vazhdoi karrierën e saj në politikë edhe arriti që në një ambient plotësisht të diskriminuar të udhëheqë edhe grupin socialist në këtë përlament. Edhe pse përkufizimi i diskriminimit nuk jepet në Kushtetutë, ajo ka parashikuar se mbas saj, në hierarkinë e ligjeve më të rëndësishme, janë marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Parlamenti i Shqipërisë, të cilat kanë epërsi mbi legjislacionin vendorqë bie në kundërshtim me të, pra Pika dy e nenit 122. të Kushtetutës. Madje edhe në Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit, nenet 77 dhe 99 përcaktojnë detyrimet e Shqipërisë lidhur me ofrimin e mundësive të barabarta në punësim, kushtet e punës e veçanërisht të shëndetit dhe sigurisë në punë.

Këtë e kanë parasysh femrat shqiptare që nisen drejt politikës së dhunshme ashtu si edhe deputetja socialiste, që njëkohësisht është nënë, grua dhe gjyshe, dhe ishte në shënjestër së kësaj politike?:
- “Une mendoj që cështja e pjesëmarrjes së gruas në politikë nuk është cështje që ka të bëjë me gjetjen e një vendi pune. Kjo është një përgjegjësi dhe duke qenë e tillë edhe përballja me një situatë të tillë të vështirë është pjesë pse jo edhe e sakrificës që gratë duhet ta marrin përsipër sepse unë mendoj dhe besoj që politika shqiptare ka nevojë për më shumë gra dhe kjo jo për shkak të dekorit se duke patur më shumë gra ka një dekor më interesant politik. Besoj se duke patur më shumë gra në politikë, politika duhet të jetë ndryshe. Cështja e pjesëmarrjes së grave në politikë është edhe një cështje e të drejtave të njeriut. Duke patur pak gra në politikë ashtu sic ka ndodhur në politikën shqiptare deri sot dhe përgjithësisht në vendimmarrje, nuk e kam fjalën për partitë politike apo për parlamentin, por përgjithësisht në vendimarrje .Duke patur pak gra në politikë do të thoja që gjysmës së shoqërisë i privohet një e drejtë e përfaqësimit. Pra, gjysma e shoqërisë që janë gra janë të nënpërfaqësuara në politikë dhe në vendimmarrje për shkak të numrit të ulët të grave në parlament, në qeveri, në partitë politike dhe në përgjithësi në vendimmarrje..Kjo është me e theksuar në pushtetin vendor ku përfaqësimi është edhe më i ulët. Pra e gjithë shoqëria humbet nga një pjesëmarrje e ulët e grave në politikë sepse është nje rezervë e pashfrytëzuar. Sot kemi një nivel shumë të lartë të arsimimit të grave, ne qofte se do t’i referoheshim shifrave të fundit, sidomos në arsimin e lartë. Në arsimin e lartë 64% e studentëve janë femra dhe dalin 70%  dhe kjo është një diferencë cilësore që do të thotë që ky kapacitet duhet shfrytëzuar më mirë duke i përfshirë gratë në politikë. Ka edhe arsye të tjera pasi gratë sjellin një qasje tjetër në politikë. Nuk e kam fjalën për ato gra që kopjojnë modelin e burrave, ndonjëherë bëhen edhe më të ashpra se burrat, por e kam fjalën për ato gra që sjellin vërtet një qasje tjetër të një politike që peshon nga argumenti dhe jo nga agresiviteti, të një politike që peshon nga interesat e publikut dhe jo nga interesat partizane të partive politike. Kjo është themelore, sidomos cështja e vënies së interesave të publikut, të njeriut të thjeshtë në themel të politikës është shumë e nevojshme ne qofte se një politikë duhet të jetë e sukseshme për një vend dhe unë besoj se këtë më mirë se kushdo e bëjnë gratë edhe për shkak të jetës kulturës së tyre që ato ofrojnë në politikë. Janë gratë ato që prekin varfërinë më shumë se kushdo tjetër, pavarësisht se jetojmë bashkë në një familje , janë gratë ato që problemet sociale mund t’i sjellin më mirë në politikë, probleme të edukimit, probleme të shëndetit që janë themelore ne qofte se një shoqëri do të zhvillohet” .

Por si ndjehet një grua një ambient ku etika mungon?  Zonaj Leskaj shprehet: - “Pa dyshim që nuk ndjehet mire. Pa dyshim që ndjehet ndoshta edhe më keq se sa mund të ndjehet një burrë edhe për arsye të faktit që një grua është nënë dhe sjell edhe emocione dhe ndjesi të tjera .Unë besoj se si po degjeneron mënyra e të bërit politikë në Shqipëri për fat të keq me sharje dhe me fyerje. Është varfëri e politikës. Është mungesë argumenti, themelorja është mungesë alternative sepse kur ke alternative, kur ke argument, nuk ke nevojë të degjenerosh në sharje. Ne qofte se je në politikë që ofron, që ke alternativë, ne qofte se je një politikan apo politikane që ke argumenta nuk ke nevojë të shash. Kjo është një varfëri e madhe që demostrojnë ata apo ato të cilët në vend që të përdorin argumentin, në vend që të përdorin alternativën, sjellin gjuhën e shprishur do të thosha, e cila për mendimin tim nuk demton vetëm atë të cilit i adresohet kjo gjuhë, por në fund të fundit kjo është një kosto për të gjithë shoqërinë shqiptare. Është një kosto për brezat që vijnë".

Deputetja pra që ishte edhe vete objekt i sulmeve politike… - “Duke qenë në politikë dhe në ato funksione që kam patur, pa dyshim që nuk mund të mbetesha jashtë kësaj gjëje, por nuk është se e kam përjetuar lehtë. Në fund të fundit është ajo që e thashë në fillim, që politika nuk është një vend pune të cilin t’i mund ta bësh ne një kohë dhe për një moment dhe kur fillojnë vështirësitë mund ta lësh. Politika është një përgjegjësi të cilat kur i merr duhet t’i çosh deri në fund. Pa dyshim që unë nuk e mendoj politikën si një aktivitet të përjetshëm, por personalisht edhe kur nuk kam qenë në politikë them që edhe ata që janë në shoqëri civile edhe ju që jeni gazetarë dhe secili bën politikë, pavarësisht që dikush e bën politikën brenda gardhit të ndonjë partie, dikush tjetër e bën jashtë. Gjithsesi është një kontribut për shoqërinë. Duke folur për këtë lloj politike që bëhet brenda gardhit patjetër që vështirësitë janë të mëdhaja, sidomos për një grua, por në fund të fundit aty matet forca dhe në fund të fundit aty secili tregon se sa serioz dhe rrezistent është për të përballuar sfidat e përgjegjësive. Kjo është një sfidë e përgjegjësive që kemi marrë përsipër edhe pse do të dëshiroja që të mos na hanin kohë këto lloj sfidash. Do të doja që kohën më të madhe ta harxhonim për alternativat. Personalisht nuk jam angazhuar shumë në përgjigje ndaj atyre që nuk meritojnë përgjigje. Jam e prirur që të investohem pozitivisht në politikë. Jam kundër investimeve negative të cilat nuk i sjellin asgjë politikës. Unë mendoj se ka e një arsye tjetër sidomos të atyre që janë të investuar në sharje. Për fat të keq brenda politikës ka njerëz që kanë problemet e tyre dhe kërkojnë ortakë në moralin dhe në vlerat e tyre dhe duke gjeneralizuar të keqen. Duket se ndjehen mirë duke sharë edhe aktorë të tjerë të politikës me apo pa arsye. Ky është dëmi më i madh që i bëhet politikës. Është dëmi më i madh që i bëhet luftës kundër të keqes, luftës kundër korrupsionit apo krimit në Shqipëri sepse duke gjeneralizuar të keqen besoj se ky proces i luftës ndaj krimit dhe korrupsionit gjeneralizohet dhe e bën luftën jo eficente. Besoj që kjo është një nga arsyet që ata që kanë vetë probleme përpiqen që të bëjnë ortakë në moralin edhe në vlerat e tyre duke sharë të tjerët, gjë që nuk më jep shumë kënaqesi për të folur. Për fat të keq është prezente në shoqërinë shqiptare”.

Leskaj flet edhe për një dukuri shumë aktuale në politikën shqiptare, për mungesën e solidarizimit të femrës në parlament, kur ajo sulmohet ose fyhet nga një burrë e çfarëdolloj force:
- “Cështja e pozitës së gruas në politikë dhe shoqëri apo e mbrojtjes së të drejtave të grave në përgjithësi nuk është një cështje e grave dhe as cështje e grave për gratë pasi kjo është cështje e të gjithë shoqërisë. Është një detyrë që duhet ta ketë e gjithë shoqëria shqiptare qofshin gra apo burra, politikanë apo politikane, shoqeri civile apo media. Për arsyet që thamë më lartë gratë janë të nënpërfaqësuara dhe një nga arsyet është edhe ky mjedis mbytës do të thosha. Në rradhë të parë është detyrë e të gjithë shoqërisë, politikanëve, politikaneve. Unë mendoj që vetë gratë duhët të bëjnë një front të luftës kundër të keqes sepse unë këtë e quaj një të keqe të madhe për shoqërinë”.

Nga ana tjetër, Lajla Përnaska, nga rradhët e Partisë Demokratike, duke folur për përcaktimin e saj për politikë beson se femrat në Shqipëri ashtu si edhe në shumë vende të tjera të botës shumë më të zhvilluara, mund të japin një tjetër model të politikës. Mund ta zbusin politikën duke përfshirë këtu edhe mënyrën e komunikimit. - “Unë do të thosha që në cdo fushë, aq më tepër në politikë dhe brenda institucionit parlamentare duhet një etikë komunikimi dhe kjo etikë duhet respektuar në të gjithë parametrat e saj, për më tepër në tempullin e fjalës dhe të debatit është akoma më e rëndësishme që këto parametra të kenë konsideratë. Unë jam nga ata njerëz që jo sot, por në vite i kam besuar faktit që femrat edhe në Shqipëri ashtu si edhe në shumë vende të tjera të botës shumë më të zhvilluara se ne dhe që i kanë kaluar këto faza në të cilat ne ende ndodhemi mund të japin një tjetër model të politikës. Mund të zbusin politikën përfshirëse si dhe mënyrën e komunikimit. Besoj se ruajtja e këtij ritmi për një përfaqësim sa më të lartë të femrave në institucionet drejtuese ndikon edhe në këtë aspect. Edhe në Shqipëri, në situatën në të cilën ndodhemi, pritshmëria për mua mbetet në të njëjtin sens”.

Pernaska flet edhe për përjetimet në mes të kësaj politike: - “Situatat me të cilat  përballesh në politikë janë të ndryshme dhe vetë dinamika e jetës politike ndryshon në momente të caktuara. Sigurisht që ka edhe debate shumë më të forta apo shumë më të ashpra të cilat edhe duhen kuptuar si të tilla duke iu referuar gjithmonë rrethanave, arsyeve sepse ka gjithmonë një factor, por besoj se shumë më tepër se dallimi meshkuj- femra ka edhe një dallim në bazë individuale, në bazë të natyrës së individit, sipas karakterit dhe në mënyrën se si shprehet ritmi, forca, por që gjithmonë këto janë në kontekste të caktuara”.

Deputetja vlerëson me tej se jeta politike në Shqipëri ka pësuar një evolucion pozitiv: - “Unë besoj se në tërësi jeta politike në Shqipëri ka pësuar një evolucion pozitiv edhe me mënyrën se si ajo organizohet. Edhe sjellja politike e individëve të angazhuar në politikë ka patur situate shumë shumë më të vështira. E gjithë shoqëria shqiptare, jo vetëm politika, ato janë të kapërcyera një herë e përgjithmonë në gjykimin dhe në bindjen time, por që nuk mund të them që vitet e fundit ka patur tendenca të ashpërsimit të gjuhës politike. Përkundrazi kam konstatuar një lloj terreni shumë më të ekuilibruar dhe shumë më të qëndrueshëm për sa i përket artikulimit të fjalëve, por në momente të caktuara e theksoj që për cështje të caktuara, ashpërsohet gjuha dhe debati politik dhe kjo është vetë pjesë e jetës politike. Them që ashpërsimi i debatit është i pritshëm në situate të caktuara, por që varet shume edhe nga individi se si ai e shpreh komunikimin e tij”.

Ndërkohë që për situatat e pjesëmarrjes së një femre në artikulimin e akuzave të ashpra ndaj një kundërshtari, si ndjehet dhe si merr pjesë ajo femër në këtë angazhim që mund të jetë detyrë e forcës apo madje edhe detyrim i pavullnetshëm, zonja Përnaskaj shprehet: - “Patjetër që ai që ka bërë një zgjedhje politike ka edhe një profil të caktuar, ka një status politik. Por në gjykimin dhe në eksperiencën time edhe deputetet femra të zgjedhura duke ndjekur nga afër zhvillimet e tjera të politikës, jo vetëm brenda forcës së tyre, por në tërësi, sigurisht që duhet të reflektojnë dhe t’i përgjigjen situatave me impenjimin kryesor që të arrijnë të marrin edhe femrat përgjegjësi mbi vete. Ka patur tendenca për shumë vite në vendet e Ballkanit që politika ka qenë e maskilizuar, pra ka qenë për shumë shumë kohë burrërore dhe femrat kanë sjellë dhe vazhdojnë të sjellin edhe modelin e tyre por njëkohëshit duhet të jenë të pregatitura për t’u bërë pjesë reale e kësaj politike për të bërë edhe përballjet kur është e rëndësishme dhe për mua janë edhe cështje vec mendimit dhe vullnetit politik brenda subjektit ku bën pjesë ka edhe cështje madhore që i takojnë gjithë Shqipërisë dhe historisë së vendit dhe besoj që cdo femër do të përcjellë forcën e duhur edhe nëpërmjet fjalës kur ndesh fenomene që janë ndesh jo vetem për gjithë politikën, por për të gjithë Shqipërinë”.


Objekt i sulmeve të shumta në parlamentin e Shqipërisë ishte dhe deputetja socialdemokrate, Diana Çuli. Ajo mendon se sulmet e këtij lloji janë formë presioni dhe se pozitën e gruas në politikë do ta rregulloje vetëm vetë femra.

Në vorbullën e politikës së dhunshme shqiptare u përfshi edhe deputetja socialdemokrate, Diana Çuli. Pas akuzave sistematike në kohën kur Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe dhunën në familje ishte tashmë e hartuar, ajo detyrohet publikisht të jap sqarime për akuza e rëndë mbi përgjegjësinë e vrasjes së poetëve Blloshmi dhe Leka, në mënyrë që jeta e saj dhe familjes të rikthej qetësinë, të paktën për momentin.

Sot, katër vjet më vonë, kur Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe dhunën në familje, tashmë duhej të ketë përfunduar, kështu shprehet kjo nënë dhe poete e njohur shqiptare për një femër që vendos të merret në politikë.
- “Ambjenti politik historikisht ka qenë domen i burrave, jo vetëm në Shqipëri, në gjithë botën. Historia e pushtetit është histori mashkullore, por shekullin e fundit jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën ka një lëvizje tepër të madhe të grave për të qenë edhe ato pjesë e pushtetit dhe kjo është gjëja më e natyrshme në këtë shoqëqri që është gjysma gra dhe gjysma burra.  Është një padrejtësi, ndoshta historike, por për shkaqe të shumta kulturore, paragjykime, mentalitete, të cilat nuk është vendi t’i shpjegojmë të gjitha këtu, por ka një histori që e shpjegon pse gratë nuk kanë qenë pjesë e pushtetit dhe është dominuar përgjithësisht nga burrat. Këto 5-6 vjetët e fundit në shumicën e vendeve të botës gratë kanë patur shumë ndryshime parësore në jetën e tyre. Kanë pas të drejtën e votes, e kanë fituar të drejtën e divorcit, të drejtën për arsimim, që nuk i kanë patur këto më përpara për mijëra vjet, të drejtën për rrogë të barabartë për të njëjtin vend pune, kështu që në këtë kudër kuptohet që gratë janë shumë të ndërgjegjësuara. Tashmë janë pjesë aktive e shoqërisë. Nuk janë më gratë shtëpiake të cilat nuk kishin asnjë të drejtë fjale, kuptohet që niveli arrin edhe deri tek politika. Derisa unë jam avokate, jam juriste, jam drejtoreshë, jam gazetare, jam mjeke, jam shefe katedre, jam inxhiniere, atëhere unë do të jem njësoj si burrat edhe drejtuese. Kjo është ajo që i shtyn gratë. Ne qofte se ato nuk janë pjesë e politikës të gjitha vendimet që merren nga një mjedis tepër mashkullor kuptohet që nuk do të jenë në favor të grave. Atëhere është shumë mirë që ne të jemi prezente. Të jemi ne që luftojmë për legjislacionin. Sa më e emancipuar është gruaja aq më e emancipuar është shoqëria, është familja edhe fëmijët rriten më mirë. Shoqëria është më e shëndetshme nëse gratë i kemi në pushtet”.

Në ambientin politik shqiptar pa etikë, për aktivisten e njohur për të dejtat e gruas, dhuna përdoret nga njerëzit e pafuqishëm.
- “Kam qënë në legjislaturën para kësaj që është tani. Pa dyshim që nuk është e lehtë. Një grua që merr përsipër këtë rol ka një kurajo shumë të madhe. Duhet të marrësh parasysh që cfarëdo mund të ndodhë, mund të të fyenë,mund të të thonë fjalë shumë të rënda sepse kultura politike verbale për fat të keq e politikanëve burra nuk është ajo e dëshiruara dhe ndonjëherë unë mendoj që kjo tregon pafuqinë e tyre se ti mund ta mundësh një njeri me argumenta dhe jo me fyerje. Sa më i zgjuar je, sa më i zoti je, aq më të mirë e ke argumentin. Fyerja tregon pafuqi dhe tregon që unë të dhunoj, jam i zoti se di të të dhunoj me fjalë, me ligësi, por nuk jam i zoti të të mund me mendim dhe me ide. Vështirësia qëndron kur ne jemi pak. Unë kam qenë në një legjislaturë ku ishin vetëm 10 gra në 140 burra. Kështu që nuk bënim një ekip të madh grash sepse nëse e merrni parasysh në parlamet duhet të ketë 40-50% gra sic ka ne shumë parlamente europiane sot. Atëhere pjesa tjetër nuk e ka aq të lehtë të fyejë, por kur janë vetëm 10 gra dhe 130 burra ata janë më solidarë në mundjen e këtij grupi të brishtë grash që është aty, jo si individë, por është një grup i vogël”.

Çuli flet edhe për rastin personal: - “Sulme ka pësuar cdo grua. Akuza është gjë tjetër sepse ajo duhet të jetë e bazuar në një argument ndërsa sulme të padrejta atje bëhen sepse ti jep një mendim që nuk i pëlqen kundërshtarit dhe kur nuk ka ndonjë argument e thotë fjalën e keqe. Por ne e kemi marrë parasysh që do të përballenmi edhe me këtë gjë. Unë tërë vitet që kam punuar me shoqatën e grave dhe kam 20 vjet që punoj me cështjen e gruas gratë duhet ta marrin parasysh edhe këtë sepse shpesh thonë që unë nuk futem në politikë sepse nuk i duroj dot fyerjet do të merren parasysh këto dhe do të vijë një moment që fyerje nuk do të ketë më sepse ne do të jemi shumë. Ne arritëm të futnim 30% te grave në parlament. Nuk i futëm dot si numër sivjet, por si legjislacion ne e kemi dhe me përmirësimet në kodin elektoral mund të ketë më shumë. Lufta nuk është e lehtë. Gratë duhet të jenë në politikë sepse jo gjithmonë t’i fiton kur je përjashta. Pra duke bërë manifestime, duke qenë jashtë, duhet të jesh edhe brenda për të arritur dicka”.

Ndërsa përshëndet angazhimin aktual të femrës: - “Këtë dekadën e fundit gratë shqiptare kane lëvizur dicka. Në vitet e para pas diktaturës gratë nuk iu afruan politikës sepse kishte shumë probleme të tjera të pazgjidhura dhe ishte edhe një fushë e panjohur, por këtë periudhë i shoh tepër të interesuara që të hyjnë në politikë, jo vetëm në parlament, por edhe në këshillat bashkiakë. Drejtoreshat nëpër ministrira janë shumë të trajnuara. Venë në të gjitha shkollat politike që hapen këtu. Shoqëria nuk e di se sa shumë gra të pregatitura kemi ne për të hyrë në politikë. Ne po i shohim që kemi shumë gra të afta, por ka edhe të tjera”.

Dhe në fund zonja Çuli jep edhe mendimin nëse mund të ndryshojë një femër duke u sjell si një mashkull në politikë
- “Unë mendoj që ky është një stereotip i gabuar që nuk e thonë vetëm këtu në Shqipëri. Përdoret shumë herë edhe jashte në perëndim. Tashme nuk përdoret më ky. Ishte një stereotip i viteve ‘50- ‘60 kur kishte pak gra në politikë dhe ato në një ambjent tepër mashkullor dhe të egër detyroheshin të ngurtësoheshin që të mund të përballeshin me burrat. Unë nuk e vë më re këtë tani, as në gratë politikane në Europë e Amerikë dhe as në Shqipëri. Përkundrazi, janë shumë femërore sepse nuk ka nevojë të bëhesh si burrë për të qenë në të njëjtën valë sepse ne jemi të ndryshëm, jemi të barabartë. Unë kam mënyrat e mia të zgjidhjes së problemeve dhe burrat kanë mënyrat e tyre dhe nuk kemi pse ta ndryshojmë natyrën dhe nuk më duket se gratë që janë në politikë apo në vendimmarrje e kanë ndryshuar natyrën. Kjo është një mënyrë për t’i friksuar grate, për t’ju thënë që mos hyni në politikë se na dukeni të shëmtuara duke luajtur pak me këtë pjesën e cila është qesharake sepse një grua është shumë e bukur kur është e zgjuar dhe nuk shëmtohet përkundrazi dhe është një stereotip që I ka kaluar koha për mendimin tim”.


Pra kja është politika e dhunshme shqiptare në të cilën vazhdojnë të të afrohen femrat. Në përbërjen më të re parlamentare janë 21 femra, 15 prej të cilave për herë të parë. Të vetëdijshme për ambientin politik që i pret, ata e pranojnë se janë futur në garë edhe për ta ndryshuar këtë ambient.

Kjo është mirëseardhja për deputeten e sapozgjedhur të Partisë Demokratike dhe aktoren e njohur Rajmonda Bulku. Edhe pse jo në zonën ku kishte fituar, zonja Bulku në aktivitetin e saj politik ndeshet me një turëm të pakenaqur të Partisë Socialiste në Fier të cilët në kërkim të së drejtës për pretendimet që kishin në zonën e tyre zgjedhore, nuk qajnë kokën, ashtu si edhe deputetët e Parlamentit të Shqipërisë se në ndihmë kishte ardhur edhe një zonjë.

Për deputeten e Partisë Demokratike këtë lloj ambienti duhen ta kenë parasysh të gjithë, pse jo edhe femrat.
-“Një femër që ka marrë përsipër të bëjë politikë ajo e ka marrë parasysh. Ajo e di shumë mirë se ku, në ç’arenë ka hyrë dhe zakonisht janë femrat që e duan politikën. Iu pëlqen ajo. E duan karrierën. Janë të afta për ta bërë atë, kështu që janë të vetëdijshme për arenën e egër apo të sertë e mbase këmbëngulëse që duhet sepse nuk mund të jetë ndryshe. Kemi të bëjmë me gjëra madhore. Kemi të bëjmë me ligje dhe me vendime ku është jeta e një shteti në këtë dorë të politikës. Kështu që nuk mund të jetë për gjëra të bukura dhe të buta se s’ka se si të jetë”.

Pra Zonja Bulku është e vetdijshme për një ambient i cili vetëm për gjëra të bukura nuk mund të jetë, ndërsa kur ai tensionohet dhe kalon në fyerje siç ndodh shpesh në ambientin politik shqiptar, ajo shprehet: - “Ajo është tjetër gjë. Ajo ka të bëjë me atë diplomaci që merr përsipër të ketë një politikan apo një klasë politike. Them që nuk mund të jetë vetëm shqiptare sepse tani që jam e vëmendshme shoh që edhe në botë ndodhin për fat të keq gjëra të tilla. Megjithatë duhet të ketë një ekuilibër dhe kjo është etikë për cdo njeri, por politika e do forcën e debatit këtë e di shumë mire”.

Ndërsa jep edhe vlerësimin mbi mundësinë e uljes së toneve të ashpra me prezencën më të madhe të femrës shqiptare në politikë: - “Kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në një sallë parlamenti apo një arenë nuk ka shumë dallim mes burrit dhe gruas. Jo për gjininë se sa për atë që duan të paraqesin. Mbrojnë e luftojnë për atë që marrin përsipër ta bëjnë kështu që nuk ka ndonjë dallim shumë të madh. Mund të ketë burra me shumë etikë. Absolutisht që janë për t’u admiruar dhe mund të ketë gra që janë jashtëzakonisht me një gojë të shthurur që të vjen turp t’i dëgjosh. Dhe unë them që më shumë ma vret veshin një femër që flet kështu dhe relativisht janë gra të reja dhe mbase për të qenë për të mohuar dhe për të mos respektuar punën e tjetrit arrijnë edhe në një vulgaritet që thua ku e gjejnë”.

Edhe Eglantina Gjermeni nga rradhët e Partisë Socilaiste është deputete e re në Parlamentin e Shqipërisë. Duke pranuar se një nga faktorët e dhunës në shoqëri është edhe dhuna apo komunikimi i dhunshëm në politikë që përdoret nga burrat, por edhe nga grate, ajo është e bindur se ka shumë mënyra për t’i thënë gjërat sado të vështira apo të këqija që janë, pa agresivitet dhe pa dhunë.
- “Në përgjithësi komunikimi në politikë është agresiv. Vërtet shumë i ashpër me tone të frikshme, ndonjëherë them jo vetëm për gratë që janë të përfshira në politikë apo jo thjesht vetëm për grate, por edhe për të gjithë opinionin publik. Në analizat që janë bërë në përgjithësi për shkaqet e dhunës në shoqëri theksohet se për shumë e shumë faktorë, një nga faktorët që ndikon është edhe dhuna apo komunikimi i dhunshëm në politikë që përdoret nga burrat, por edhe nga gratë. Në momentet që komunikimi është i tillë ka efekte te të gjithë ne dhe jep modele të dhunshme për ne dhe jetën në përgjithësi. Në komunikimin në politikë, komunikimi ndërpersonal brenda një vlere një etike të caktuar. Për më tepër në institucione sic është parlamenti, institucionet shtetërore në përgjithësi, institucionet e komunikimit duhet të jenë brenda një etike dhe rregulli të caktuar që të gjithë të ndjehen mirë të përcjellin mesazhet që duan. Unë jam e bindur që ka shumë mënyra për t’i thënë gjërat sado të vështira apo të këqija janë dhe mund të thuhen edhe pa agresivitet dhe pa dhunë”.

Ndërsa jep dhe mendimin mbi idenë euljes së tensioneve në politikën shqiptare me pjesëmarrjen sa më të madhe të femrës.
- “Sërisht iu referohem studimeve të bëra. Do të thoja që një nga shkaqet që femrat nuk përfshihen në jetën politike është edhe komunikimi, agresiviteti, vështirësia e politikës në Shqipëri dhe sigurisht jo vetëm në Shqipëri. Përfshirja e grave në politikë dhe në parlament nuk mund dhe nuk duhet pare thjesht për efektin e zbutjes së politikës. Unë mendoj që grate kanë c’të sjellin. Mund të sjellin kontribute të jashtëzakonshme në jetën publike dhe politike për faktin se jo vetëm që janë gjysma e shoqërisë, por edhe kanë shumë vlera, përvoja dhe kontribute të shquara. Unë mendoj që komunikimi mund të jetë etik, mund të jetë shumë njerëzor edhe në politikë. Krahas grave dhe burrave, domethene që të dyja palët mund të japin një model shumë të mire në komunikim sepse mesazhet përcillen më mire në mënyrë të drejtperdrejte, të qartë, pa i lënduar të tjerët, pa agresivitet dhe pa dhunë” .

Ndërkohë si është e mundur që në skenat e dhunshme, kohë pas kohë të shohim edhe gra, Zonja Gjemrnei shprehet: - “Herë pas herë shohim edhe pjesë të komunikimit të dhunshëm edhe nga grate. Unë nuk fajësoj askënd që përdor një komunikim të dhunshëm nëse është grua apo është burrë. Unë mendoj se shpesh herë kjo është pjesë e komunikimit në shoqërinë shqiptare dhe ne vetë e ndjejmë që komunikojmë në mënyrë agresive, që është pjesë e formimit te vlerave, e politikës në të cilën për të mbijetuar të duhet vërtet më shumë force, më shumë dhunë dhe më vjen keq ta them, por ndonjëherë dashur pa dashur të dyja gjinitë bëhen pre e këtij komunikimi të dhunshëm. Nuk është mënyra e duhur pasi ka kaluar koha e agresivitetit në politikë. Tani është koha e forcës së argumentit, kthjelltësisë së mendimit. Mënyra e të shprehurit duhet te jetë e drejtperdrejte, e qartë, pa lënduar të tjerët. Ky është komunikimi që I duhet shoqërisë shqiptare sot”.

Risi tjetër e Parlamentit të Shqipërisë është edhe njëra ndër figurat  e njohura publike duke filluar që nga Lëvizja e Dhjetorit. Është kjo Mesila Doda, tashmë deputete e Partisë Demokratike. Pjesëmarrëse në shumë debate madje edhe të ashpëra publike, Zonja Doda është përgjigjur menjëherë dhe, siç thotë ajo, çdo njeri që merr parasysh këtë profesion di të përgjigjet në momente të caktuara.
- “Jo vetëm ambjenti politik shqiptar, por ambjenti politik në përgjithësi është i shënuar nga një prezencë e fortë mashkullore. Pra në një farë mënyre është konsideruar si një profesion i burrave. Ashtu si në shumë profesione të tjera ku gratë kanë filluar të marrin atë pozicionin që iu ka munguar për shumë vite, ashtu edhe politika ka filluar të kthehet tashmë në një prolativë jo vetëm mashkullore, por edhe femërore. Prezenca këtë rradhë është rritur konsiderueshëm në parlament. Kemi një prezencë më të madhe se në të gjithë këto 20 vjetët e fundit. Kjo është rezultat i një mënyre të re konceptimi i kodit elektoral i cili e ka ndihmuar shumë praninë e grave, por edhe i sistemit i cili favorizon prezencën e zonjave në parlament. Mënyra se si ndjehet një grua që hyn në parlament është mënyra se si do të ndjehej cdo njeri që hyn për herë të parë në parlament, pra nuk është kthyer ende në një profesion të vërtetë pasi janë ende muajt e parë në të cilët punohet. por gjithsesi është brenda dëshira dhe kënaqësia e të bërit të një profesioni i cili i pëlqen. Pra neqoftese është një profesion që i pëlqen njeriut, qoftë burrë apo grua, qoftë ky ushtarak apo mësues politikan apo diplomat, nuk besoj se ka një ndarje më midis të qënit grua apo burrë në politikë. Sigurisht ka një moment pak delikat të prezencës së grave. E kam provuar edhe vetë dhe kam parë se cfarë ka ndodhur në vitet e kaluara me kolegët dhe koleget tona mbi të gjitha dhe fakti është që kur në një debat, në një argument që mund të kesh me një koleg, me një kundërshtar, kuptohet mbi një cështje të caktuar, në momentin qe nuk kam argumenta për t’u përballur me një grua, gjëja e parë është që ta fyesh ose ta trajtosh si një grua, si një qëne që është më poshtë se ty ashtu sic është në mentalitetin tradicional të Shqipërisë. Mua më ka ndodhur në debate kjo gjë. Sigurisht që unë jam përgjigjur sepse cdo njeri që merr parasysh këtë profesion di të përgjigjet në momente të caktuara”.
 
Ajo flet edhe për raste personale si pjesëmarrëse e debateve të nxehta: - “Mua më ka ndodhur ne debate publike që të ndjehem  e fyer apo e trajtuar keq në momente të caktuara. Sigurisht që nuk më ka krijuar asnjë lloj kompleksi dhe asnjë lloj frustimi personalisht mënyra të tilla të sjelljes. Unë jam individ që kam marrë përsipër këtë profesion dhe di të përgjigjem përballë cfarëdolloj akuze të bëra nga një grua apo nga një burrë. Nuk mund ta ndaj akuzën nga një koleg apo kundërshtar politik”.

Ndërkohë thekson se nuk është një fenomen që ndodh vetëm tek meshkujt: - “Mungesa e etikës nuk është një fenomen që ndodh vetëm nga meshkujt dhe nuk është një fenomen që ndodh vetëm tek shqiptarët. Ne kemi parë shpesh ka raste edhe nëpër botë që ka shfaqje jo të vogla, por kemi raste të forta të prezencës të një fjalori vulgar të fyerjeve, të insinuative, të cilat janë shumë të shëmtuara kur bëhen dhe nuk jepen vetëm nga burrat, por edhe nga gratë shumë shpesh”.

Dhe në fund fare, deputetja Mesila Doda jep vlerësimin e saj nëse mund të ketë barazi në rastin kur vetë gratë nuk e kërkojnë.
“Ju më bëni një pyetje që ka lidhje me stereotipin gjinor në Shqipëri. Pra që kur lindin gratë dhe burrat ne jemi mësuar që grate, pra vajzave të vogla t’i japim në dorë një kukull që ato të bëjnë mamanë ndërsa djemve të vegjël iu japim në dorë një pushkë apo ndonjë lodër tjetër të këtij lloji dhe i mësojmë që të bëjnë të fortin. Pra i mësojmë që të bëjnë shtyllën e fortë të familjes dhe të shoqërisë. Duhet të ndryshohet stereotipi. Gruaja ka vërtet një dhuratë të mrekullueshme nga zoti që është mëmësia, por kjo nuk do të thotë që të përjashtojmë cdo mënyrë tjetër të realizimit të grave. Pra nëse një grua e ndjen veten të realizuar pranë familjes, pranë shtëpisë duke bërë punë, unë jam absolutisht që duhet ta ndihmojmë gruan në këtë dëshirë të sajën. Por neqoftese gruaja ka dëshirë që të merret me politikë, me shkencë, me art, me pedagogji, të merret pra me gjithcka tjetër, gruaja është një qënie që është e barabartë në dinjitet me burrin. Lind si e tillë që në momentin që zoti e krijon, pra si një qënie komplementare dhe e barabartë me bashkëshortin dhe absolutisht i duhet dhënë cdo lloj mbështetje për të patur mundësi të realizojë vetveten dhe aspiratat e saj".

Shumë strategji, shumë konventa dhe ligje, por për fat të keq edhe shumë dhunë në politikë. Si reflektohet kjo tek shoqëria shqiptare? Cila është pozita e gruas në politikën shqiptare dhe a pengon dhuna politike në futjen e grave në politikë? Për këtë flasin ekspertët!

Përkundër miratimit të shumë strategjive dhe ligjeve, firmosjes së konventave të shumta dhe rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian, në Parlamentin e Shqipërisë vazhdon të mos arrihet kuota prej 30% e pjesëmarrjes së femrave. Se si mund të arrihet një barazi gjinore kur kemi ligje dhe jo zbatueshmëri, kur kemi politikë por edhe politikë të dhunshme psikologu, Edmond Dragoti shprehet:
- “Përfshirja e grave në politikë sot është bërë një nga temat e kohës në kuptimin që ka një shkallë të lartë ndërgjegjësimi edhe në media edhe në politikë në përgjithësi. Edhe organet vendimmarrëse, parlamenti, nivelet politike dhe shtetërore janë më të vetdijshme për rolin dhe praninë e femrës në politikë. Situatën e bën më interesante edhe fakti që ndërkombëtarët përgjithësisht janë drejtperdrejte të interesuar që në kuadrin e  integrimit të vendit tonë në BE duhet të përfshihemi edhe në aspektin e barazisë gjinore. Madje edhe lëvizjet e fundit të politikës duke përcaktuar edhe kuotat për numrin e grave në politikë, pa përcaktuar edhe devijimet, ishin një kontribut në kuadrin e kësaj fushate ndërgjegjësimi. Në nivelet intelektuale, pavarësisht nga ndërgjegjësimi politik apo mediatik i rolit të gruas në shoqërinë shqiptare dhe kryesisht në nivelet drejtuese të shoqërisë shqiptare, në politikë apo në nivele të tjera dhe organizma është në ngritje, por në krahasim me një periudhë të mëparshme, pra para viteve ‘90 është një rënie e dukshme e pranisë së gruas në politikë dhe në nivelet drejtuese. Më parë niveli ka qenë i lartë, pavarësisht nga mekanizmat formalë apo jo formalë. Gati 2 apo 3 herë më tepër gruaja ka qënë e pranishme në nivelet e drejtimit, ndërsa sot prania e gruas shqiptare për shumë arsye është në nivele relativisht të ulëta. Mua më pëlqen fakti që ndërgjegjësimi është më i lartë, por ende përfaqësimi nuk është realizuar".

Ndërkohë që kemi një klimë ku edhe ato pak femra që janë në Parlamentin e Shqipërisë nuk janë të barabarta.
“Para pak kohësh ne bëmë një studim për të matur perceptimin e opinionit publik për rolin e grave në politikë dhe në nivelin drejtues të shoqërisë  dhe vumë re që të gjitha grupet ishin të interesuara për përfshirjen e grave në politikë ishte interesant fakti që në disa nivele edhe burrat ishin po aq të interesuar sa gratë për përfshirjen e tyre në politikë. Ne vumë re që edhe gratë edhe burrat mendonin që klima e ashpër politike dhe e egër madje ndikonte negativisht dhe pengonte deri diku futjen e grave në drejtimin e shoqërisë. Me sa duket nivelet e komunikimit vërtet në mjediset politike janë jo vetëm të egra, jo vetëm cinike, në shumë raste me një nivel komunikimi gati primitive. Në shumë raste të tjera kjo ashpërsi dhe barbari në krahasim me grupet e tjera shoqërore është një barrierë penguese për psikologjinë e grua që ajo të përfshihet në këtë luftë të ashpër brenda llojit, pra brenda politikës. Ajo duhet të jetë aq e fortë sa një burrë biologjik, pasi në shumë raste kjo luftë politike kthehet në një luftë biologjike në kuptimin e më të fortit, më të fuqishmit, në kuptimin e atij që ka zë më të forte, e atij që ka një rritje më të lartë adrenaline në një moment të caktuar kur është para kameras apo në një mjedis tjetër. Ndërsa gruaja jo vetëm nga pritshmëritë e shoqërisë që është mësuar apo vlerësohet me një standart më të ulur, në kuptimin që gruaja duhet të jetë më feminile, më me edukatë më femërore, e ka shumë të vështirë ta kapërcejë këtë standart patriarkal të shoqërisë tone”.

Ndërsa jemi dëshmitar të një politike të dhunshme shqiptare, shpesh herë ndaj grave të pranishme përdoren fyerje, fenomen që ka edhe sqarim sipas psikologut Dragoti.
- “Është edhe një formë dhune, por unë mendoj se është një formë që më tepër pengon futjen e grave në politikë dhe gratë aktuale që janë drejtuese të parlamentit apo në poste të tjera për të qenë të sukseshme dhe për të qenë në një nivel me burrat, jo thjesht mashkullizohen, por kryesisht japin modelin e një burri të egër dhe të forte, që nuk i shkon aspak figurës së tyre femërore. Gruaja në politikë ka kryesisht modelin e një njeriu të zgjuar, një njeriu ndërmjetësues, lehtësues, paqësor i nivelit te larte të zënkave dhe ngasjeve, domethene që menaxhon konfliktet dhe situatat. Me sa duket modelet e grave që ka politika jonë sot nuk i përmbushin këto pritshmëri të atyre që duan të futen në politikë. Edhe kjo është një pengesë tjetër psikologjike për gratë që duan të futen në politikë. Natyrisht që në studimin tonë kemi vënë re që shoqëria shqiptare e përcakton pak a shumë edhe këtë handicap, këtë mungesë, domethene mungesa e modeleve pozitive të grave në politikë. Mirëpo mbijetesa e gruas në një mjedis burrëror në politikën shqiptare nuk është e lehtë, është e vështirë”.

Dhe në fund fare, sa është shpresdhënës fati i gruas në një ambient të tillë politik dhe a mund të shpresohet tek arritja e barazisë gjinore në politikë? Psikologu Edmond Dragoti mendon se ka zgjidhje.
- “Po mendoj se do të arrihet kur të bëhet transfuzioni i politikanëve, kur të bëhet transfuzioni i brezave në politikë, pra kur të vijë brezi i ri me më pak paragjykime, me më pak patriarkalizëm, brezi i ri që është më pak individualist dhe që në thelb është më lehtësues dhe më vlerësues ndaj gruas, brezi i ri ku gratë e reja, pra vajzat intelektuale kanë më shumë iniciativë, janë më shumë vendimmarrëse dhe drejtojnë shoqërinë e moshës së tyre. Mendoj se duke u bërë ky transfuzion shoqëria shqiptare do të fillojë të gjenerojë edhe raporte më paqësore në politikë dhe praninë më të madhe të grave në politikë. Është e natyrshme që edhe politika, por edhe fushat e tjera të shoqërisë kanë nevojë për ekuivalentin e burrit, për gjysmën tjetër, pra që është gruaja dhe që të arrihet kjo kërkohet një kalim gradual dhe i natyrshëm. Përcaktimi i kuotave në politikën shqiptare, që në fakt nuk ishte një legjislacion i iniciuar nga ne shqiptarët, por i ndikuar nga jashtë, ishte një hap i rëndësishëm pozitiv, pavarësish se jo shumë i natyrshëm, por që disi imponoi rolin e grave në drejtimin e shoqërisë, kryesisht në politikë. 30% është i arsyeshëm për mendimin tim edhe gratë që kemi pyetur dhe që kemi testuar vetë nuk kërkojnë që të jetë një kuotë më e lartë sepse do ta quanin të panatyrshme praninë e tyre në drejtimin e shoqërisë edhe ato kërkojnë një drejtim më të qëndrueshëm në kuptimin duke qenë të natyrshme proceset e kalimit të tyre në drejtimin e shoqërisë do të jenë edhe më të qëndrueshme”.

Pra, edhe pse afatgjate, zgjidhja ekziston. Kur të bëhet transfuzioni i politikanëve, kur të bëhet transfuzioni i brezave në politikë, kur të vijë brezi i ri me më pak paragjykime dhe më vlerësues ndaj femrës, shoqëria shqiptare do të fillojë të gjenerojë edhe raporte më paqësore në politikë dhe praninë më të madhe të femrës në politikë.

Nga: Agim Popoci
 
Tjetri >
Advertisement

AKTUALITET

article thumbnailMalaj për rekomandimet e FMN-së: Nëse nuk përmbushen, krizë serioze

e mërkurë , 10 mars 2010

Nëse qeveria nuk përmbush rekomandimet e FMN-së dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, vendi shumë shpejt mund të përballet me një...

Artikuj të tjerë