Gruevski hyri në Shqipëri nga Bllata e Dibrës?

Ish-Kryeministri i vendit , Nikolla Gruevski, dyshohet se ka përdoruar pikën doganore të Bllatës në Dibër për të hyrë në territorin shqiptar me 11 nëntor.

Burime të policisë shqiptare thonë se kalimi i tij është bërë në mënyrë ilegale.  Zyrtarisht, policia shqiptare nuk ka ende një version zyrtar për mënyrën se si e kaluar kufirin ish –kryeministri që po kërkohet për të vuajtur dënimin me 2 vjet burg në Shutkë.

Ai nuk figuron i regjistruar në sistemin TIMS në hyrje të territorit shqiptar, por vetëm në dalje, në të njëjtën ditë, mbrëmjen e 11 Nëntorit, në pikën e kalimit të Hanit të Hotit në Shkodër drejt Malit të Zi. Dyshohet se në Bllatë ai ka kaluar nga kufiri i gjelbër dhe është pritur nga i njëjti automjet i Ambasadës hungareze, me targe CD 1013 A.

Policia shqiptare mësohet se do të verifikojë kamerat dhe librat e shërbimit në pikat kufitare për të saktësuar nëse ka pasur shkelje në kalimin e Gruevskit, ndonëse zyrtarisht ajo konfirmoi një ditë më parë se në momentin e kalimit të tij në Han të Hotit, ai nuk rezultonte i shpallur në kërkim.

Kërkesa e Interpol Shkupit ka mbërritur në zyrën e Interpol Tiranës me 13 Nëntor, pra dy ditë pas kalimit të tij nëpër Shqipëri për t’u arratisur drejt Hungarisë, ku ka fituar strehim politik.  Sipas sqarimit zyrtar të policisë, në kalimin e Gruevskit në Han të Hotit nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore.

Por nëse hyrja e tij në Shqipëri është bërë pa u regjistruar në sistemin TIMS, atëherë konsiderohet se ai ka shkelur edhe ligjet e shtetit Shqiptar, për kalim të paligjshëm të kufirit.  Një hetim për mënyrën si arriti të arratisej ai nga Maqedonia, po zhvillon edhe policia maqedonase.

leave a reply